Xhavit Haliti: Albin Kurti ka nevojë për Fatmir Limajn për t’ia kaluar “ylberin” që ta formojë qeverinë
Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë në raportin mes Albin Kurtit dhe Fatmir Limajt, si dhe mundësinë për krijimin e një koalicioni të ri qeveritar, shkruan Gazeta Infokus.Përmes një postimi në Facebook, Haliti theksoi se, ndonëse nuk ka informacione konkrete për takimin mes Kurtit dhe Limajt, ai ka një qëndrim të qartë për përgjegjësitë politike që mbajnë të dy
Të dy janë shtetas të Kosovës dhe mbajnë pozita të rëndësishme, prandaj kanë detyrime ndaj elektoratit që i ka votuar,” shkroi Haliti.Ai shtoi se Fatmir Limaj ka edhe një përgjegjësi shtesë ndaj Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me të cilën Nisma garoi në zgjedhje.
“Fatmiri ka edhe një përgjegjësi shtesë – që është besa (edhe pse në politikë besa është relative) – ndaj partnerit, AAK-së, me të cilën duhet të jetë fer dhe së paku ta njoftojë për ‘shkurorëzimin politik’,” theksoi Haliti.Ai vlerësoi se heshtja mes Limajt dhe Kurtit mund të jetë një tregues i marrëveshjes për mostransparencë, duke nënkuptuar se takimet kanë ndodhur, por pa rezultat përfundimtar.“Mendoj se janë takuar, por ende nuk kanë arritur marrëveshje. Kërkesat e Limajt janë duke u analizuar nga Kurti. Në raste të tilla zakonisht ka disa raunde takimesh. Heshtja e të dy palëve është shenjë që ekziston marrëveshje për të mos e bërë publike këtë fazë të negociatave,” shkroi ai.Haliti është shprehur skeptik për qëndrueshmërinë e një koalicioni të mundshëm mes LVV-së dhe Nismës Socialdemokrate, duke theksuar se për të formuar qeverinë do të nevojitej edhe mbështetja e pakicave, përjashtuar Listën Serbe.Haliti sugjeroi se Kurti ka nevojë për një partner të vogël për ta siguruar shumicën, duke përmendur Nismën Socialdemokrate si një parti me ideologji të ngjashme të majtë.“Në vështrimin tim, Kurti ka nevojë për të bërë koalicion me një parti të vogël, si Nisma Socialdemokrate, që ia mundëson kalimin e ‘ylberit’,” tha Haliti.Ndërkohë, sot kryeministri në detyrë Albin Kurti i ka dërguar një letër zyrtare kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, për një takim konsultativ rreth konstituimit të institucioneve dhe formimit të qeverisë