Albini synon bërjen e qeverisë, opozita mundohet t’iu shpëtojë hajnisë dhe qelisë
PDK, LDK, AAK dhe NISMA përpëliten e plasariten si kripa në prush, sepse e dinë që pa ia kthyer paratë e vjedhura multimilionëshe popullit të Kosovës, pa dhënë përgjegjësi për vrasjet e kundërshtarëve politikë, pa u përgjigjur para ligjit për tradhtitë ndaj Kosovës dhe pa u reformuar dhe distancuar nga keqqeverisjet pas çlirimit e gjer më sot, vota në Kosovë nuk mund të marrin dhe fituese të zgjedhjeve kurrë nuk mund të jenë.
Dështoi edhe përpjekja e gjashtë më 29 prill 2025 që Albulena Haxhiu, kandidate e Vetëvendosjes, të zgjidhet kryeparlamentare e Kosovës.
Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve, nuk heq dorë nga Albulena Haxhiu, ndërsa PDK, LDK, AAK dhe NISMA kërkojnë propozimin e një kandidateje tjetër, me pretekstin se gjoja na qenka përçarëse!