Kurti vendos topin në fushën e opozitës – Do ta votojnë Haxhiun?
Kryeministri në detyrë dhe kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka sfiduar opozitën që ta votojë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, duke u ofruar mundësinë ta testojnë nëse ka vërtet 61 vota për të formuar qeverinë.
Kurti theksoi se mënyra e drejtë për të vërtetuar këtë është përmes votimit dhe jo përmes bllokadës institucionale.
Ai deklaroi se nëse dështon në marrjen e votave për kryeministër, atëherë opozita do ta kishte fitoren e saj, por jo duke penguar formimin e institucioneve.
“Tash kolegët e mi në Kuvendin e Republikës, që udhëheqin subjektet e tyre, nuk besojnë se unë kam 61 vota për kryeministër. Unë u them atyre: më testoni. Nëse ata besojnë se Albin Kurti nuk i ka 61 vota deputetësh për t’u bërë kryeministër, përsëri e kanë në dorë të më testojnë. Le ta votojnë Albulenën dhe le të më testojnë mua. Nëse unë dështoj, atëherë kjo do të ishte fitore për ta. Por nuk është fitore duke bllokuar Kuvendin dhe duke pamundësuar kuorumin”, potencoi Kurti.