Kur e prishë fëmijën nuk ka pasuri që ta ndreq
Shumë familje në Kosovë sot kanë krijuar pasuri të madhe. Kanë prona, biznese, vetura me tabela “VIP” – gjëra që shumica e njerëzve as nuk i ëndërrojnë.
Por një gjë s’po arrij me e kuptu: pse kur i kanë të gjitha – nuk po investojnë në fëmijët e tyre?
Pse nuk i orientojnë fëmijët kah leximi, kah sporti, kah shkolla, kah dashuria për tjetrin?
Pse nuk kalojnë kohë me ta? Pse nuk u japin vlera, edukatë dhe ndjenjën e dashnisë?
Ka gjasa që disa prej këtyre fëmijëve nuk e kanë të mbjellur, ndjeshmërinë e një njeriu normal.
S’dinë me dashtë. S’dinë me respektu. Nuk kanë empati.
Në vend të edukatës, po marrin arrogancë. Në vend të dijes, po mësohen me rrena.
Po rriten me idenë që me para kryhet gjithçka. Se ligji është për të tjerët. Se pasuria është vlerë më e madhe se njeriu vet.