Kur poshtërimi ngatërrohet me nder dhe përjetohet si mision
Kur një grua (apo kushdo tjetër, edhe ndonjë burrë) shndërrohen në “kamikazë” të një partie, ata e përmbrendësojnë poshtërimin si një lloj shërbimi të lartë, një mision të shenjtë për “kauzën” e partisë. Ironia është se sa më shumë që përdoren dhe poshtërohen, ata ndjejnë veten të vlefshëm dhe të nderuar. Dhe po, partia shpesh e “shpërblen” këtë lloj lojaliteti me poste, por ato poste janë përherë të mbështellura me iluzione pushteti. Kuptohet, pushtetin e ka shefi i partisë dhe shefat e tij që kërkojnë bindje absolute për shërbime dhe asnjëherë mendim kritik apo mendim politik të pavarur.
Kjo kotillë e përdorshme dhe e shpenzueshme prej politikaneje/politikani e sheh durimin ndaj padrejtësive, talljeve, dhe instrumentalizimeve si mision të shenjtë. Sa më shumë i poshtërojnë, aq më shumë ndjehen ushtarë të palëkundur që sakrifikojnë gjithçka për “kauzën”.
Të zhytyr thellë në batakun e një sistemi partiak që përdor besnikërinë si armë dhe shpërblen nënshtrimin si virtyt, ata bëhen simbole të asaj çfarë politika nuk duhet të jetë: një fushë ku nderi ngatërrohet me poshtërimin dhe ku shërbimi ndaj një ideali zëvendësohet nga adhurim ndaj kryetarit të partisë dhe ndaj pushtetit.
Shkruan: Besa Ismaili
(aktualitete parlamentare kosovare)