Marrëveshja është e gatëshme”- Haxhi Avdyli reagon pas ftesës së Kurtit për Abdixhikun
Deputeti i grupit parlamentar të LVV-së, Haxhi Avdyli tha se marrëveshja për koalicion qeverisës me LDK-në “nuk është e pamundshme”.
Pasi kryetari i LVV-së, Albin Kurti i shkroi letër kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku duke i kërkuar koalicion, Avdyli përmes një postimi në Facebook u shpreh se e sigurtë është që kur fiton Kosova, do të fitojmë të gjithë.
“Nëse e vendosim interesin e qytetarëve dhe vendit para interesit e fatit personal apo grupor, marrëveshja nuk është e pamundshme.
E sigurtë është që kur fiton Kosova, fitojmë të gjithë. Alternativa e refuzimit e bllokimit, është rrugë pa krye.
Për të gjithë. Pa dallim”, ka shkruar Avdyli.
Kujtojmë se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti i ka dërguar letër kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut.
Letra e plotë:
I nderuar kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Lumir Abdixhiku,
Po ju drejtohem me këtë letër meqë nuk u takuam ende. Deputetë të LDK-së së fundmi kanë deklaruar publikisht se për të ecur përpara në legjislaturën e nëntë, fillimisht me konstituimin e Kuvendit, nevojitet marrëveshje politike.
Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, jam i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike me LDK-në.
Ne sigurisht që kemi dallime në bindje politike e në politikat qeverisëse, por koalicionet bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime, duke vendosur të drejtat dhe nevojat e shtetit dhe të qytetarëve si prioritet.
LDK njihet si parti e cila nuk ka hezituar për koalicione qeverisëse: në 2001-2004 me PDK dhe AAK, në 2004-2007 me AAK, në 2008-2010 me PDK, në 2014-2017 sërish me PDK, ndërkaq në 2020 me LVV.