PDK, LDK, AAK, Edi Ramën e quan vizionarë kurse Albin Kurtin diktatorë
Në një klimë ku liria e shtypit është kthyer në një mjet manipulimi e jo matjeje objektive të demokracisë, nuk është për t’u habitur që një pjesë e mediave kosovare kanë zgjedhur ta sulmojnë përditë Albin Kurtin, një kryeministër që nuk ka mbyllur asnjë derë të medias, nuk ka quajtur asnjë gazetar “kazan”, nuk ka kërcënuar askënd dhe nuk ka tentuar të kufizojë asnjë kanal komunikimi.
Ndërkohë, të njëjtët gazetarë që në mënyrë të organizuar dhe shpesh të koordinuar e kritikojnë Kurtin për çdo dalje publike, i japin hapësirë Edi Ramës, një lider që për më shumë se një dekadë në Shqipëri ka ndërtuar një sistem komunikimi të mbyllur, shpesh armiqësor ndaj gazetarëve, dhe që e ka quajtur median kritike si “kazan” apo “çobanë”, duke përdorur një gjuhë ofenduese që asnjë lider europian nuk do ta lejonte vetes.
Në Shqipëri, gjatë qeverisjes së Ramës, Reporterët pa Kufij kanë raportuar për presion mbi gazetarët, mungesë transparence, tentativa për të kaluar ligje censure si “paketa antishpifje”, dhe përqendrim të pronësisë mediatike që cënon pluralizmin. Megjithatë, Edi Rama gëzon trajtim të privilegjuar në shumë studio televizive kosovare, ku përballjet janë më shumë dekor sesa ballafaqim real.
Ironia më e madhe ndodh ndërkohë që Kosova në raportin e vitit 2024 për Lirinë e Medias u rendit në vendin e 99, një rënie e dukshme nga vitet e mëparshme, ku ajo pozicionohej shumë më lart se Shqipëria. Sipas Reporterëve pa Kufij, “tensionet në rritje midis qeverisë dhe disa mediave po ndikojnë negativisht në klimën e lirisë së shprehjes”, ndërkohë që sulmet verbale ndaj Kryeministrit Kurti janë intensifikuar, shpesh pa bazë faktike, duke kaluar nga kritika profesionale në fushata të drejtpërdrejta politike.
Në këtë klimë paradoksale, është e qartë se problemi nuk është mungesa e hapësirës për gazetarët, por fakti që një qeveri që nuk i financon, nuk i përdor për propagandë dhe nuk i korrupton me privilegje, kthehet automatikisht në armikun e tyre.
Albin Kurti, ndryshe nga homologu i tij në Tiranë, ka zgjedhur rrugën më të vështirë: të mos përzihet në përmbajtjen editoriale, të mos ndërtojë një rrjet mediash klienteliste dhe të mos krijojë lidhje të nëndheshme me bosë mediatikë. Dhe për këtë po ndëshkohet, jo nga qytetarët, por nga një segment i zhurmshëm, që ka humbur komoditetin e dikurshëm.
Në anën tjetër, Edi Rama, edhe pse në mandatin e tij të tretë, kërkon me gojën plotë 78 mandate në zgjedhjet e ardhshme, një super-shumicë që do t’i lejonte të ndryshojë Kushtetutën dhe të qeverisë pa kontroll demokratik. E deklaroi këtë hapur në emisionin “Opinion” te Blendi Fevziu, pa u pyetur as për rrezikun që kjo sjell për demokracinë, as për rënien e Shqipërisë në çdo indeks ndërkombëtar të lirisë së medias.
Si mundet që një lider që ka kërcënuar realisht shtypin trajtohet si europian, ndërsa një lider që e respekton lirinë e shprehjes etiketohet si diktator?
Kjo është një pyetje që gazetarët e ndershëm duhet t’ia bëjnë vetes.
Sepse nëse liria e medias matet vetëm nga sa shpesh kritikohet qeveria, pa matur kush e kritikon, për çfarë arsye, dhe me çfarë niveli profesional, atëherë kemi kthyer një vlerë demokratike në instrument të propagandës.
Albin Kurti mund të jetë i ashpër në retorikë, mund të mos jetë i afërt me mediat, por nuk ka ushtruar asnjë formë censure apo presioni institucional mbi to. Dhe për këtë, duhet jo të shpërblehet, por të vlerësohet.
Edi Rama, nga ana tjetër, ka ndërtuar një model ku pushteti kontrollon narrativën, ku komunikimi kalon përmes filtrave të PR-it, dhe ku fjalori ndaj medias është më afër autokratëve sesa evropianëve progresistë.
Është e qartë kush respekton median dhe kush kërkon ta sundojë atë. Por ajo që mbetet e pashpjeguar, është pse një pjesë e gazetarëve kosovarë, apo BOSËVE mediatikë e injorojnë këtë të vërtetë dhe zgjedhin ta mbrojnë pikërisht atë që i përçmon, që i quan herë «KAZAN» e herë «ÇOBANË