Votuesit dhanë mesazhe të qarta” Albin, qeveria e re të mos jetë “peng” i Listës Serbe!
Publicisti shqiptar, Milaim Nela në një intervistë për “Bota sot” ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit politike në Kosovë, formimin e qeverisë së re dhe dialogun me Serbinë.
Si fillim, ai vlerësoi se duke parë zhvillimet gjeopolitike dhe zgjedhjet parlamentare, situata në vend është normale. Megjithatë, tha se 9 shkurti ishte provë për KQZ, ndonëse proces zgjedhor në Kosovë vazhdon të jetë model për shtetet e rajonit.
Krahas kësaj, Nela tha se qytetarët e dhanë mesazhin e tyre, për atë se kush dëshirojnë ta udhëheqë vendin, derisa kërkoi nga partia fituese, LVV ta analizojë situatën dhe ta formojë qeverinë sa më shpejt.
Mirëpo, ai kërkoi që qeveria e re të mos varet nga Lista Serbe.
Tutje, publicisti foli edhe për faktin se si Kosova vazhdon të jetë ende nën sanksione nga Bashkimi Evropian, e që një gjë të tillë e cilësoi si një turp për vetë BE-në. Ai kërkoi që sa më parë të largohen këto masa ndëshkuese ndaj shtetit tonë.
Në këtë pikë, sipas tij dialogu me Serbinë pa njohje reciproke nuk ka pse të vazhdojë tutje, derisa kërkoi që dialogu të zhvendoset me dialogun me Bashkimin Europian ku 5 shtetet e këtij të fundit të njihnin Kosovën.
Në fund, Nela analizoi edhe raportet me SHBA-në dhe ardhjen e Trump në pushtet, ku potencoi se: “Ne duhet të bindim administratën Trump se ne shqiptarët jemi aleati natyral e i pandryshueshëm i SHBA-së në Ballkan e sigurisht që kjo është edhe interes amerikan”.
Intervista e plotë
Gazeta “Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në Kosovë, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit?
Milaim Nela: Në fakt, më se normale duke marrë parasysh pritshmëritë nga këto zgjedhje dhe gjeopolitikën rajonale e më gjerë sidomos ngjarjet që zhvillohen në Evropë e në nivel botëror. Të mos harrojmë se Kosova vinte në këto zgjedhje për herë të parë pas një mandati të plotë 4 vjeçar të një partie që thuajse e vetme ushtroi pushtetin në Kosovë pas thuajse 20 viteve dominim të skenës politike nga partitë tradicionale të para e pas luftës. Vetëvendosja u ballafaqua për herë të parë me zgjedhësin jo vetëm si premtuese e ndryshimeve por si realizuese apo dështuese e realizimeve.
U mendua se një periudhë 4 vjeçare do ishte më se e mjaftueshme për reformimin e partive tradicionale tashmë opozitare. Kjo përballë një force politike që më shumë se me meritë i mori 50 %të votave më shumë si ndëshkim ndaj partive që rrëzuan një qeveri legjitime në vitin 2020.
Në fakt as VV nuk u ndëshkua mjaftueshëm në kundërshtim me pritshmëritë dhe as reformimi i opozitës nuk ndodhi. Dhe kjo duhet të analizohet me shumë seriozitet nga këto parti.
Një risi në këto zgjedhje që sapo kaluam ishte Komisioni i Ri zgjedhor me kryetar të ri dhe këto zgjedhje ishin provë serioze edhe për ta. Në total zgjedhjet në Kosovë do i konsideroja një sukses dhe Kosova megjithëse shteti më i ri në Ballkan vazhdon të na bëjë krenar për një proces zgjedhor model që duhet të ja kenë zili jo vetëm Shqipëria që është vite dritë larg një serioziteti dhe organizimi të tillë, por ajo duhet të merret si shembull nga të gjitha vendet e rajonit. Mua si shqiptar kjo më bën jo vetëm krenar por shpresëplotë se ky shembull do të ndiqet edhe nga vendet e tjera fqinje të saj.
Gazeta “Bota sot”: Sa është e rëndësishme që të formohet sa më shpejt qeveria e re? A ka pasoja nëse zvarritet ky proces?
Milaim Nela: Zgjedhësi kosovar ka dhënë mesazhe shumë të qarta. Ka zgjedhur Lëvizjen Vetëvendosje si parti të parë në Kosovë e kjo me diferencë të ndjeshme me partinë e dytë siç është PDK. Rezultati zgjedhor sidoqoftë ja pamundëson VV-së formimin e qeverisë pa koalicion zgjedhor me një nga partitë e opozitës. Kjo po ashtu ndikohet edhe nga zhvillimet në Evropë dhe sidomos në SHBA.
VV duhet të shikojë dhe analizojë seriozisht se ku ka gabuar dhe qeverisja e re dhe aleancat duhet t’i reflektojë jo vetëm në koalicion, por sidomos në programin qeveritar. Është me shumë rëndësi që koalicioni të formohet e qeveria e legjitimuar nga zgjedhjet të fillojë sa më shpejt nga puna. E rëndësishme është që qeverisja të mos jetë peng i Listës Srpska dhe Kosova të ecë përpara.
Gazeta “Bota sot”: Kosova tash e sa kohë është nën sanksione a ka ardhur koha që të largohen ato? A është e padrejtë të vazhdojë vendi ynë nën këto masa?
Milaim Nela: Siç e kam shprehur edhe në prononcimet e mëparshme për gazetën tuaj këto sanksione më shumë se ndëshkim krejt i padrejtë për Kosovën janë turp për vetë Bashkimin Europian. Ato jo vetëm që duhet të hiqeshin por nuk duhet të ishin vendosur.
Heqja e tyre është jo vetëm domosdoshmëri, por duhet të bëhet sa më parë. Largimi i Lajçak nga posti i negociatorit për Kosovën është një lajm shumë i mirë. Ai ishte jo vetëm një diplomat që vinte nga një vend që nuk e njeh Kosovën por qartësisht e shpesh me arrogancë ka vepruar e punuar si emisar i Serbisë e jo i BE-së. Po ashtu shpresoj se Kallas do ketë qasje më pozitive ndaj Kosovës krahasuar me paraardhësin e saj Borell.
Ardhja e Sorensen në këtë aspekt pa dyshim që është një lajm i mirë por nuk mjafton. Në tërësi pozicioni i BE-së karshi Kosovës mbetet shumë me afër Serbisë se sa Kosovës.
Ka vite që në qarqet perëndimore ka një frymë në rritje keqardhjeje për ndërhyrjen e NATOS në vitin 1999. E kjo ka ndodhur për dy arsye; E para diplomacia e fuqishme e Serbisë qoftë ne BE qofte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e dyta fshehtësia dhe paaftësia e diplomacisë shqiptare.
Ne si shqiptare duket se kemi harruar shumë shpejt gjenocidin serb mbi shqiptarët e Kosovës dhe e kemi marrë pavarësinë e Kosovës si proces të mbaruar njëherë e mire kur realiteti nuk është aspak i tillë falë edhe lëshimeve te paprecedenta që i janë bërë Serbisë ndër vite.
Kosova ka pasur edhe një fat tjetër të keq në 12 vitet e fundit duke pasur Shqipërinë dhe diplomacinë e saj pro Serbisë e në shumë raste kundër Kosovës dhe Albin Kurtit.
Shembujt janë plotë e nuk është e nevojshme t’i përsëris këtu.
Duhet punuar fort në aspektin diplomatik për ndryshimin e kësaj status-quo që është e dëmshme për interesin e Kosovës.
Duhet ndoshta të korrigjohen shumë gjëra në aspektin e diplomacisë e mënyrës së bërjes së saj.
Një njohje e Kosovës për 4 vjet qeverisje është shumë pak.
Nuk duhet të qëndrohet në pozita pritjeje me Serbinë, por përkundrazi duhet një diplomaci ofensive të paktën siç e bën ajo.
Padia për gjenocid ndaj Serbisë duhet të ishte bërë prej kohësh e jo të lihej në kalendat greke.
Gazeta “Bota sot”: Çfarë prisni nga dialogu Kosovë-Serbi këtë vit pas ndryshimeve në BE dhe ardhjes se Kallas e Sorensen? A duhet të jetë njohja reciproke në qendër të negociatave?
Milaim Nela: Në fakt siç e kam thënë edhe në të shkuarën pas aktit terrorist serb në Banjskë të Zveçanit qasja ndaj dialogut duhet të kishte ndryshuar katërçipërisht.
Banjska na tregoi se Serbia nuk eshte e interesuar për dialog, por përkundrazi do ta përdorë atë për të fituar kohë dhe destabilizuar Kosovën.
Sorensen është një njohës i shkëlqyer i Ballkanit dhe pavarësisht se është emisar i BEse ai vjen nga një vend që e ka njohur shtetësinë e Kosovës. Unë i përkas atij grupi ndoshta të vogël njerëzish se me Serbinë nuk duhet pranuar asnjë dialogu pa njohje të pavarësisë dhe integritetit territorial te Kosovës. Dialogu me Serbinë duhet të ia lëshojë vendin dialogut me Bashkimin Evropian ku 5 shtetet e këtij të fundit të njihnin Kosovën e për rrjedhojë vete BE të mos ishte më neutrale karshi statusit të Kosovës e ta njihte atë si të barabartë në të gjitha tryezat dhe forumet e saj.
Kjo gjendja e varur as mish as peshk e strukturave te BE-se shkon në favor të politikave ekspansioniste dhe armiqësore të Serbisë. Kjo duhet të marrë fund.
Ajo që duhet të synohet sot nga faktori shqiptar e kjo sidomos në kushtet e ndryshimeve drastike të gjeopolitikës botërore duhet të jetë: integriteti dhe sovraniteti i Kosovës dhe Kosova në NATO.
Gazeta “Bota sot”: Po ashtu, a pritet të ketë ndikim presidenti Amerikan Donald Trump në dialogun që po zhvillohet ne Bruksel? Eventualisht a mund të sjellë ndonjë marrëveshje te re ose diçka të ngjashme
Milaim Nela: Ardhja e Donald Trump ka ndryshuar jo vetëm Amerikën, por ka ndryshuar të gjithë boten e cila nuk do jetë më ashtu siç ishte.
Në më pak se 3 muaj kemi parë ndryshime të qasjes se Amerikës që nuk i kishim parë në 30 vjet.
Kemi ndryshim rrënjësor të politikës amerikane ndaj Rusisë e cila nuk shihet më si armik i SHBA-së, por më shumë si partner. Bile kjo ka shkuar aq larg sa në sytë e administratës Trump, BE në shumë aspekte është me larg saj se sa Rusia.
Viktimat e kësaj qasje te ndryshme të SHBA nëse mund t’i quaja të tilla janë Ukraina në radhë të parë e frika ime është se nesër mund të jetë edhe Kosova. Kjo edhe për faktin se ka një investim galopant diplomatik të Serbisë në SHBA dhe Vuçiç po shfrytëzon me shumë mjeshtri këtë ndryshim gjeopolitik në favor të tij.
Ajo që kemi në dorë ne si shqiptar është sërish puna e diplomacisë e veçanërisht ngritja e lobimit pranë administratës amerikane në nivelin që ishte në vitet 90të.
Ne duhet të bindim administratën Trump se ne shqiptarët jemi aleati natyral e i pandryshueshëm i SHBA-së në Ballkan e sigurisht që kjo është edhe interes amerikan.
Shpresoj që bërja fushatë e Kurtit dhe marrja anë në favor të Kamala Harris në zgjedhjet e fundit amerikane të mos penalizojë Kosovën. Kjo sepse Trump nuk harron. Një shembull të ngjashëm e pamë në Shtëpinë e Bardhë në përplasjen Tramp-Vance -Zelensky.
Kjo shpresoj të ketë shërbyer edhe si mësim i vyer edhe për të ardhmen se sidomos ne shqiptaret duhet të qëndrojmë larg tifozllëkut të zgjedhjeve amerikane e të mos mbajmë anë.
Zgjedhjet Amerikane duhet të jenë çështje vetëm e qytetarëve amerikane e ne shqiptarët i kemi dhe duhet ti kemi miq të dyja palët. Partitë politike kanë afilacione ideologjike të ndryshme, por kur vjen puna tek shteti ne duhet të jemi tërësisht neutralë e të mos bëjmë gafa te tilla siç kane bërë politikanët shqiptarë andej e këtej kufirit në vitet e fundit.
Në kushtet e zhvillimeve të vrullshme aktuale e shoh të vështirë angazhimin e drejtpërdrejtë e të fokusuar amerikan në Kosovë dhe në BE për çështjen e Kosovës.
Prioriteti ynë në këto kushte duhet të jetë mbijetesa dhe shmangia e ndonjë lëshimi nga ana amerikane në kuadër të bisedimeve Rusi SHBA në disfavor të Kosovës pasi kemi parë një interes të zëshëm e të vazhdueshëm të Rusisë në Ballkan e veçanërisht në Kosovë.
Uroj e shpresoj që kjo të mos ndodhë.
Neve do të na duhet punë titanike të bindim Amerikën se veriu i Kosovës nuk është territor i diskutueshëm, por territor shqiptar dhe plani i Ahtisarit përfshin lëshime drastike të palës kosovare lëshime që në tavolinat e negociatave janë bërë me synimin që kjo të çonte në njohje nga Serbia.
Nëse Serbia nuk e njeh Kosovën mua më duket se duhet të rishikohet edhe plani i Ahtisarit sepse 3 % e popullatës serbe nuk mund të mbajë peng një shtet të tërë. Sa për Asociacionin unë mbetem në qëndrimet e mia të mëparshme se asnjë lloj Asociacioni me kompetenca ekzekutive apo përtej një shoqate kulturore nuk është e nuk duhet të jetë i pranueshëm për Kosovën e kjo qasje do të duhej të adoptohej nga i gjithë spektri politik i Kosovës.
Serbët i kanë të gjitha të drejtat që ka çdo pakicë në shtetet e tjera te botës së lirë e bile shumë më tepër se ata.
Kjo duhet të shihet nga ndërkombëtarët e të theksohet nga pala shqiptare